Varri i Jezusit?

ArgumentuesiMendime ShtesëLeave a Comment

lost_tomb_jesus1

Shënim: Materiali i mëposhtëm është përkthyer nga libri “Cështja e Krishtit të vërtetë” nga Lee Strobel, një shqyrtim investigativ rreth argumenteve të kohës moderne kundër Krishtit biblik… Kapitulli i mëposhtëm është një intervistë me Michael Licona, një teolog që ka shkruar shumë rreth argumentave të ringjalljes së Krishtit. Ky seksion, argumenton problemet me dokumentarin e Discovery Channel “Varri i humbur i Jezusit” (The Lost Tomb of Jesus).

VARRI I JEZUSIT

Çfarë mund të themi për një tjetër mundësi referuar nga Tabor në librin e tij- që “kutitë me eshtra” të zbuluara në varrin e Talpiot[1], në jug të qytetit të vjetër të Jeruzalemit në vitin 1980, të mbanin eshtrat e Jezusit dhe familjes së tij?

Regjizori Hollivudian Xhejm Kemërën (James Cameron) dhe Prodhuesi i filmave Simça Xhejkouboviçi(Simcha Jacobovici) fituan famë të madhe me dokumentarin e shfaqur në Discovery Channel në vitin 2007, në të cilin thuhej se disa arkeologë kishin gjetur arkivole të gurtë ku ishin të gdhendur emrat “Jezusi, biri i Jozefit,” Jozeh (ose Jozef), Maria, Matia (ose Mateu), Mariamne Mara (ku ata pretendonin se ishte Maria Magdalena), dhe “Juda, biri i Jezusit.” Testet e ADN-së tregonin se personi i vendosur në arkivolet e Jezusit dhe Maria Magdalenës nuk vinte nga e njëjta nënë; Dokumentari sugjeronte se ata kishin qenë të martuar dhe kishin të paktën një fëmijë – Judën.

Megjithatë, në librin e tij, Tabor pohonte se Amos Kloner, arkeologu që mbikëqyri gërmimet për varrin, tha se “mundësia që ajo të ishte familja e Jezusit është pothuajse zero,” gjithashtu, Motti Neiger nga Autoriteti Izraelit i Antikitetit binte dakort se “mundësia që këto të ishin varret e vërtetë të familjes së shenjtë janë pothuajse zero.”

Unë pyeta Likonën nëse ndonjë nga arkeologët që morën pjesë në gërmime kishte dalë në konkluzionin se këto varre i përkisnin Jezusit të biblës dhe familjes së tij.

“Jo,” ishte përgjigja e tij. “ Ata e dinin mirë se emrat e gdhendur në ato arkivole ishin shumë të përhapur.”

“Po, sa të përhapur?”

“Duket që emri Maria ishte emri më i përhapur gjatë kohës së Jezusit, dhe është llogaritur që, në atë kohë, një në katër gra quhej Maria. Jozef ishte emri i dytë më i përhapur, rreth një në shtatë meshkuj quhej Jozef. Një në njëmbëdhjet meshkuj quhej Jezus, një në dhjetë meshkuj quhej Juda dhe një në njëzet quhej Mateu.”

“Megjithatë” i thashë, “A nuk është domethënës fakti që arkivolet e gurtë me emrat e Jezusit, Jozefit dhe Marisë u ndodhën në të njëjtin varr?”

“Sigurisht që domethënia rritet kur bashkon një kombinim specifik emrash, madje edhe emra të përhapur,” u përgjigj ai. “siç edhe dokumetari i Kemërën tha, nuk është fare e vështirë të gjesh emrat Xhon, Pol dhe Xhorxh,(John, Paul, George)[2] por nëse këtyre emrave u shton edhe emrin Ringo atëherë këtu duhet të ketë diçka. Çështja që shtrohet është se nëse vërtetë i analizon gjërat, në varrin e Talpiot, nuk gjendet një ekuivalent i emrit ‘Ringo’.

“Sipas përllogaritjeve të Fizikantit Rendi Ingërmensën (Randy Ingermanson),” vazhdoi ai, “një nga shtatëdhjetë e nëntë meshkuj në Jeruzalem ishte “Jezusi, biri i Jozefit.” Hershel Shanks dhe Ben Uithëringtën III (Ben Witherington) llogarisin se gjatë periudhës nëntëdhjetë vjeçare në të cilën u përdorën arkivolët e gurtë- nga viti 20 PeS deri në vitin 70 PK- ndodheshin rreth 80,000 meshkuj në Jeruzalem. Kjo do të thotë se gjendeshin përafërsisht 1,000 burra me emrin Jezus, ati i të cilëve, quhej Jozef. Mandej, Ingërmensën merr parasysh edhe emrat e tjerë në varrin e Talpiot dhe sipas llogarive del se ndodheshin njëmbëdhjet burra gjatë asaj periudhe që i përshtaten profilit të Jezusit në varrin e Talpiot.

“Pra, pa marrë asnjë gjë tjetër parasysh, mundësia që varri i Talpiot mbante brenda Jezusin e biblës është përafërsisht një në njëmbëdhjetë, ose nëntë përqind. Mirëpo, ka plotë gjëra të tjera që duhen marrë parasysh. Me qëllim që ta caktojmë Jezusin si një nga këta të njëmbëdhjetë, duhet të shikojmë se çfarë provash gjenden të cilat tregojnë se Jezusi ishte i martuar dhe kishte fëmijë apo ishte beqar. Dhe me të vërtetë që shpresat veniten për teoricienët e Talpiot kur këto prova analizohen.”

“A ka ndonjë provë, që me të vërtetë të tregojë, se Jezusi ishte i martuar me Mari Magdalenën?”

“Provat në dokumentar fillojnë me Veprat e Filipit, ku për herë të parë mendohet se Marisë i referohen si Mariamne. Por në të vërtetë teksi nuk thotë ‘Mariamne’ siç thotë arkivoli i gurtë; teksti thotë ‘Mariamme.’ Mariamme tek Veprat e Filipit njihet ose identifikohet vetëm si motra e Filipit, dhe nuk ka asnjë të dhënë, çfarëdo qoftë, se ajo është e martuar me Jezusin dhe se ka një fëmijë. Në fakt, teksti duket sikur vlerëson beqarinë. Filipi, personazhi kryesor, u thotë të kthyerve në krishtërim të lenë gratë e tyre dhe të jetojnë një jetë pa marrëdhënie seksuale.”

“Megjithatë,“ i thashë, “nuk besoj se ka ndonjë njeri që mendon se Veprat e Filipit janë të besueshme nga pikëpamja historike, apo jo?”

“Ky tekst daton në shekullin e katërt,” tha Likona. “Edhe pse disa nga traditat e tij shkojnë deri në shekullin e dytë, sërish është një kohë e gjatë pas ungjijve kanonik. Në librin e tyre Varri i Familjes së Jezusit, Xhejkouboviçi dhe Çarls Pelegrino (Jacobovici, Charles Pellegrino) i citojnë të dyja Ungjillin e Filipit dhe Ungjillin e Marias si për të treguar se Jezusi mund të ketë qenë i përfshirë në një marrëdhënie romantike me Maria Magdalenën, por këto shkrime datojnë më vonë se Dhjata e Re. Asnjë studiues i njohur nuk beson se ato përmbajnë informacion të besueshëm nga ana historike rreth Jezusit apo ndjekësve të tij, dhe jo vetëm kaq, por këto tekste as nuk pretendojnë se Jezusi dhe Maria ishin të martuar dhe jo më të kishin edhe një fëmijë.”

“A ka ndonjë provë se Jezusi ishte beqar?” “Absolutisht, po!” deklaroi ai. “ edhe pse nuk ka ndonjë arsye të fortë se përse Mesia duhej të mbetej beqar, katër biografitë tona më të hershme të Jezusit, të shkruara brenda shtatëdhjetë viteve të jetës së tij, e paraqesin atë në atë mënyrë. Gjithashtu, Pali nuk përmendi ndonjë herë se Jezusi ishte i martuar edhe pse do të ishte në interesin e tij më të mirë.”

“Si përshembull…,” i thashë, duke e shtyrë për më shumë informacion.

“Kur Pali i shkruan kishës së Korintit, ai pohon se ka të drejtë të ketë një grua të krishterë, si të gjithë apostujt e tjerë, vëllezërit e Zotit, dhe Pjetri. Nëse Jezusi do të kishte qenë i martuar, me siguri që Pali do ta kishte përmendur atë si shembullin kryesor. Heshtja e Palit është një thirrje e fortë që ka të bëjë me statusin martesor të Jezusit.”

A besoni se arkivoli i gurtë me mbishkrimin ‘Mariamne Mara’ i përket Maria Magdalenës?”

“Është jashtëzakonisht e vështirë të jetë kështu, sepse emri ‘Mariamne’ nuk duket se i është referuar ndonjë herë në ndonjë vend Maria Magdalenës.” Përpos kësaj, ndërsa domethënia e ‘Mara’ ka mundësi të jetë ‘madhështor’ ose ‘Zot,’ ai mund të jetë emri shkurt për ‘Martha.’ Pa një Maria Magdalenë në varrin e Talpiot propozimi i Kemërën bie – me një fjalë, ‘Ringo’ nuk ekziston.

Unë e pyeta, “Ç’mendon për provat e ADN-së që Kemërën paraqiti?” Diçka që u la pa përmendur është se megjithëse u zbuluan dhjetë arkivole të gurtë në varr në vitin 1980, atje ishin të varrosur tridhjetë e pesë persona. Pra, me sa duket, ky varr përfshinte pjesëtarë të një familje të gjerë. Mariamne fare mirë mund të ketë qenë kushërira e Jezusit, halla/tezja gjyshja nga ana e të atit, motër nga një martesë e mëparshme e të atit, mbesa apo kunata.

“Cili është përfundimi  juaj rreth varrit të Jezusit?” e pyeta.

“Fjalët hapëse të Kemërën në dokumentarin Varri i Familjes së Jezusit krijojnë një ide të asaj që do të lexojmë gjatë gjithë librit: ‘Po sikur Jezusi të mos ketë ekzistuar fare? Sot shumë ekspertë thonë pikërisht të njëjtën gjë.’ Mirëpo, kjo është qesharake. Ajo thjesht tregon nivelin e ulët të njohurisë së Kemërën. “Tani, sigurisht, që ka një numër ekspertësh të vetë shpallur në internet të cilët pretendojnë se Jezusi nuk ka ekzistuar ndonjë herë, por këta nuk janë studiues me grada shkencore. Vetëm një grusht dijetarësh të mirëfilltë, siç është skeptiku Robert Prajs (Robert Price), shprehen se nuk do të habiteshin nëse Jezusi vërtet nuk ka ekzistuar ndonjëherë, mirëpo, edhe vetë Prajs nuk arrin të pohojë se Jezusi nuk ka jetuar kurrë.

“Argumentat se varri i Talpiot mbante eshtrat e Jezusit të biblës janë shumë të dobët. Dhe përveç kësaj, mos harro gjithë provat bindëse që unë kam cituar rreth ringjalljes së Jezusit.”

Në të vërtetë, dokumentari i Kemërën nxiti një sulm kritikash nga studjues të njohur. Evans më tha në një email “Pothuajse askush nuk është dakort se emri Mariamne i referohet Maria Magdalenës, apo që emri Mara do të thotë ‘Zonjë’ apo ‘Mjeshtre,’ sikur të ishte një titull nderi. Ai është më shumë një shkurtim i emrit Martha, i cili vërtetohet në mbishkrime të tjera.” Po të kemi parasysh formën e tij në gjuhën Greke, tha ai, mbishkrimi tek arkivoli shumë mirë mund të lexohet si: “(e bija) e Mariamne Mara (ose Martha).” Të tjerë e përkthejnë atë si: “[arkivoli i gurtë] i Mariamne (që gjithashtu quhet) Mara.”

Ndërsa për sa i përket çështjes së ADN-së, tha Evans “Arkivolet e gurta, shpesh, mbanin më shumë se një skelet, kështu që vihet në dyshim nëse fragment e kockave të testuara përputhen me emrat e gdhendur në arkivole.”

Historiani Pol Majër (Paol Maier) foli hapur për përshkrimin e varrit të Jezusit: “kjo është thjesht një reklamë e pastër, një bujë e pabazë, dhe asgjë tjetër, veçse një mashtrim mediatik. Në fund, dukej se edhe publiku ra dakort. Një sondazh nga kompania Zogby[3], tregoi se ndërmjet atyre që kishin dijeni për dokumentarin dhe atyre që nuk kishin dijeni, nuk kishte absolutisht ndryshim në përqindje me ata që besojnë në ringjalljen fizike të Jezus Krishtit.

Përshtati në Shqip: Ervis VELIU

Shënimet:
[1]Lagje Izraelite në jug-lindje të Jeruzalemit. Burimi: http://en.wikipedia.org/wiki/Talpiot (shënim i përkthyesit)

[2] Emra shumë të përhapur në Amerikë dhe Angli. (shënim i përkthyesit)

[3] Kompani Amerikane sondazhes themeluar nga Xhon Zogbi (John Zogby). Burimi http://en.wikipedia.org/wiki/John_Zogby (shënim i përkthyesit)

Doni të merrni pjesë në konkursin tonë?

Përveç një teme interesante për diskutim, ju mund të fitoni edhe një iPad Mini, 2 Smartphone, libër përmes konkursit tonë. Rregjistrohuni përmes linkut të mëposhtëm për detajet!

Rregjistrohuni!
ArgumentuesiVarri i Jezusit?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *