Kush vdes për një gënjeshtër?

ArgumentuesiArgumentatLeave a Comment

Ndriçoji të tjerët duke përhapur lajmin


Kush vdes për një gënjeshtër? 

Jezusi, gjatë tri viteve të aktivitetit të tij publik, mori me vete 12 nxënës, në përputhje me traditën e kohës, sipas të cilës mësuesi iu kalonte filozofinë e tij nxënësve, përmes të jetuarit së bashku. Ungjijtë, dy prej të cilëve u shkruan nga këta nxënës, na rrëfejnë edhe dobësitë e nxënësve, lëkundjet e tyre në besim, sa herë që gjendeshin në vështirësi.

Kulmi i dyshimit të tyre shfaqet në reagimin ndaj arrestimit të Jezusit. U shpërndanë të frikësuar, sikur s’e kishin njohur kurrë mësuesin. Pjetri e mohoi Jezusin publikisht tri herë. Të gjithë bashku u strukën në një dhomë të vogël në Jerusalem, të mbushur me frikë dhe pasiguri për të ardhmen.

30-40 vite më vonë, ajo që shihet te nxënësit e Jezusit është dramatikisht e kundërt.

Guximi i tyre të befason. Secili prej tyre shfaqet i gatshëm për të vdekur për mësuesin e tyre, duke cituar sigurinë në identitetin e mësuesit të tyre të ringjallur.

Shikoni se me çfarë lloj vdekjesh u përballën:

1. Pjetri, i quajtur Simon, – u kryqëzua.

2. Andrea – u kryqëzua.

3. Mateu – u vra me shpatë.

4. Jakobi, biri i Alfeut, – u kryqëzua.

5. Filipi – u kryqëzua.

6. Simon Zelotasi – u kryqëzua.

7. Tadeu – u vra me shigjetë.

8. Jakobi, vëllai i Jezusit – u vra me gurë.

9. Thomai – u vra me heshtë.

10. Bartolomeu – u kryqëzua.

11. Jakobi, biri i Zebedeut – u vra me shpatë.

Vetëm Gjoni vdiq me vdekje natyrale, por torturat, djegiet me vaj e internimet nuk i munguan as atij.

Kthimi i beftë i dishepujve të Jezusit vërteton lajmin e ringjalljes.

I vetmi shpjegim i arsyeshëm për kthimin e nxënësve të Jezusit nga frikacakë në guximtarë që mbushën botën me lajmin rreth Jezusit, është shfaqja e Jezusit të ringjallur.

Ungjijtë na tregojnë se nxënësit e Jezusit ndryshuan vetëm pasi panë Jezusin e ringjallur. Madje një prej tyre, Thomai, nuk e besoi as lajmin e ringjalljes, pa e parë Jezusin me sytë e tij.

Po të ishim në vendin e tyre, do të kishim bërë njësoj. Nëse unë pres që dikush të bëhet mbret dhe, krejt ndryshe nga shpresat e mia, ai vdes i turpëruar, atëherë do të bëhem frikacak e pa shpresë në të. Edhe lajmet rreth ringjalljes së tij nuk do t’i besoj, derisa ta shikoj vetë të ringjallur.

Kështu ndodhi edhe me nxënësit e Jezusit. U desh që ata ta shikonin Jezusin e ringjallur, madje, më shumë se një herë, që të ndryshonin befas pikëpamjen e tyre, rreth identitetit të mësuesit. Një ndryshim që edhe sot befason historianët.

A nuk vdesin njerëzit për gënjeshtra?

Po sikur nxënësit e Jezusit të jenë si terroristët e sotëm që vdesin për kauza, të cilat janë të gabuara?

Ka një ndryshim thelbësor mes të vdekurit për një ide dhe të vdekurit për një fakt. Disa janë gati të japin jetën për idetë, por realisht s’kanë shumë mundësi të na vërtetojnë saktësinë e idesë – nëse arsyeja pse po vdesin është e vlefshme, apo jo.

Ky grup njerëzish vdesin për shkak të besimit.

Nxënësit e Jezusit vdiqën për shkak të informacionit që kishin, jo për shkak të besimit. Ata ishin dëshmitarë okularë të Jezusit të ringjallur dhe ky fakt ju dha besimin që përligjte edhe gatishmërinë për të vdekur.

“Është e vështirë të gjesh njëmbëdhjetë njerëz në histori që të kenë vdekur për një gënjeshtër, duke e ditur se ishte gënjeshtër”, – thotë autori Xhosh Mekdauell.

Ndërsa Pol Llitël shkruan se “njerëzit mund të vdesin për shkak se besojnë se diçka është e vërtetë, edhe pse besimi i tyre mund të jetë i gënjeshtërt. Megjithatë, ata nuk vdesin për diçka që tashmë e dinë se është gënjeshtër.”

Nëse dishepujt e kishin vjedhur vetë trupin e Jezusit, atëherë ata dinin me siguri se Jezusi nuk ishte ringjallur. Nëse dishepujt e dinin se Jezusi ishte akoma në varr, atëherë e dinin me siguri se Jezusi nuk ishte ringjallur.

Ndaj, i bie që ata kanë vdekur për një gënjeshtër të sigurt! Por askush, asnjë historian e psikolog që i shqyrton faktet me kujdes, nuk pranon mundësinë që 12 njerëz të jenë gati të vdesin për një gënjeshtër të sigurt.

Shpjegimi më i arsyeshëm, në përputhje me rrëfimin e sinqertë të Ungjijve, është ky: nxënësit e Jezusit shkuan drejt vdekjes, sepse kishin parë me sytë e tyre Jezusin e ringjallur – e pas kësaj, as vdekja nuk i mundte dot.

Ndriçoji të tjerët duke përhapur lajmin

Dëgjoni argumentin në format audio

ArgumentuesiKush vdes për një gënjeshtër?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *